Këshilltari i AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Abdul-Selam Selami, ka nisur një iniciativë për mbledhjen e kërkesave dhe propozimeve të qytetarëve lidhur me nevojat infrastrukturore në lagjet e kryeqytetit.

Përmes një thirrjeje publike, Selami ka ftuar banorët e Shkupit që deri më 30 nëntor 2026 të paraqesin idetë e tyre për projekte që konsiderojnë se duhet të realizohen në zonat ku jetojnë.

Sipas tij, propozimet e pranuara do të shqyrtohen nga Grupi i Këshilltarëve të AKI-së, me synimin që të dorëzohen në formë kërkesash dhe amendamentesh gjatë procedurës së miratimit të Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2027.

Selami ka theksuar se, pavarësisht pozicionimit të AKI-së në opozitë, përfaqësimi i nevojave të qytetarëve mbetet përgjegjësi e këshilltarëve të saj.

Ai ka bërë të ditur se do të angazhohen që propozimet e banorëve të trajtohen gjatë diskutimeve buxhetore dhe të merren parasysh në përcaktimin e investimeve për vitin e ardhshëm.

“Shkupi është i qytetarëve, prandaj edhe prioritetet e tij duhet të burojnë nga qytetarët!”, ka shkruar Selami.

Qytetarët e interesuar mund t’i përcjellin propozimet përmes rrjeteve sociale, postës elektronike ose duke kontaktuar drejtpërdrejt këshilltarin.

Kontaktet për dorëzimin e propozimeve:

Email: Avduljselam.selami@gmail.com

Telefon: 070 373 796

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave është 30 nëntori 2026.