
Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka pranuar se gjatë zbatimit të Balancuesit ka pasur raste të keqpërdorimit të deklarimit etnik për qëllime punësimi, por ka këmbëngulur se bëhej fjalë për raste të izoluara dhe jo për problem të vetë mekanizmit.
Në emisionin “Debat në Shenja”, Ademi mbrojti funksionimin e Balancuesit, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
Ai theksoi se përmes mekanizmave të tillë është arritur përmirësimi i përfaqësimit etnik, duke përmendur rritjen nga 0.2 në 22.6 për qind.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për pretendimet se në të kaluarën janë kërkuar para në këmbim të vendeve të punës, Ademi tha se çdo dyshim për keqpërdorim duhet të trajtohet nga institucionet kompetente.
“A ka pasur raste të izoluara të keqpërdorimit të deklarimit etnik, për nevoja të punësimit? Ka pasur. Por ato janë raste të izoluara. Nuk ka qenë problem Balancuesi”, deklaroi Ademi.
Gjatë debatit, gazetari Abedin Ismaili ngriti çështjen e bazës ligjore të Balancuesit, duke rikujtuar se ai funksiononte si mekanizëm administrativ dhe softuer, e jo si ligj i veçantë.
Ademi, nga ana tjetër, kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se pasojat e tij nuk kufizohen vetëm te heqja e Balancuesit, por prekin edhe çështje më të gjera të karakterit multietnik të shtetit.
Sipas tij, problemi nuk qëndronte te ekzistenca e Balancuesit, por te mënyra se si mund të adresoheshin keqpërdorimet individuale, pa e cenuar mekanizmin e përfaqësimit institucional.
